Samiti në Tiranë/ Krisafi: Shënon fillimin serioz të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e RTSH 24, ka deklaruar se nuk është rastësi që samiti i parë që zhvillohet jashtë vendeve të BE-së, të jetë pikërisht Tirana. Ai u shpreh se Shqipëria është i vetmi vend nga rajoni që nuk ka probleme ekzistenciale as të brendshme dhe as të jashtme.
“Është një rast i veçantë për Shqipërinë që samiti i parë që organizohet jashtë BE-së, organizohet në Tiranë. Nuk ndodh rastësisht.
Shqipëria është vendi më i qëndrueshëm nga Ballkani Perëndimor, ose vendi që nuk ka ndonjë problem ekzistencial as të brendshëm dhe as të jashtëm. Tirana është zgjedhja e parë në këtë rast.
Ajo që unë perceptoj nga ana e BE-së është që vetë unioni ka kohë që po mundohet nga rajoni të gjejë një shtet pararendës. Shqipëria mund ta kapë këtë mundësi për të qenë shteti pararendës.
Ajo që unë shoh nga Kryeministri Rama është që po përpiqet me të gjitha mundësitë e veta për ta kapur këtë mundësi”, tha Krisafi.
Ai u shpreh më tej se nëpërmjet Samitit të Procesit të Berlinit, synohet fillimi i ngadalësimit të distancës ekonomike, sociale të nivelit të jetesës mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mesatares së vendeve të BE-së.
“Është samiti i fillimit serioz të integrimit evropian të BP. Hera e parë që shoh nga BE sinjale serioze për një datë 2030 për futjen e vendeve të BP.
Ky samit është drejtuar më shumë te pjesa ekonomike”, deklaroi ai më tej, teksa u ndal dhe te situata mes Kosovës e Serbisë.
Sipas Krisafit, Shqipëria nuk mund të jetë ndërmjetëse mes Kosovës e Serbisë.
“Shqipëria s’mund të jetë ndërmjetëse mes Serbisë dhe Kosovës. Kryeministri Rama e provoi disa herë të përmirësonte marrëdhëniet me Vuçiq pikërisht për këtë arsye, për të krijuar një atmosferë më të qetë duke ndikuar dhe në lidhje me marrëdhëniet mes Serbisë e Kosovës. Fakti që jemi këtu ku jemi tregon që dhe kjo përpjekje ka dështuar. Ndërmjetësin në lidhje me Serbi-Kosovë e bën BE-ja.
Shqipëria nuk e ka kapacitetin të bëjë ndërmjetësin mes Kosovës e Serbisë, por është shtet që nuk ka shfrytëzuar vendet fqinje për të marrë përfitime”, tha Krisafi.