Samiti Rajonal në Shkup – Kurti kërkon që procesi i integrimit të ndahet nga dialogu me Serbinë
Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euro Azinë, James O’Brien në konferencën për media pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen për zbatimin marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit e saj.
“Ne e mbështesim fuqimisht udhërrëfyesin që është miratuar në Ohër, në marsin e vitit të kaluar. Besojmë se të dy shtetet duhet të operojnë brenda dialogut për ta zbatuar marrëveshjen plotësisht”, u shpreh Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti kërkoi që anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian të ndahet nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë Në konferencën pas takimit me liderët e rajonit në Shkup, ai tha se aktualisht dialogu po zhvillohet vetëm mes krye negociatorit Besnik Bislimi dhe përfaqësuesit special të BE-së Miroslav Lajçak, ndërsa tha se nuk ka një datë për takim të nivelit të lartë në Bruksel.
“Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kuptoj se BE-ja e ka në thelb fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin as demokracinë.”, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti nënvizoi se duhet të ndalen kërcënimet e sigurisë që Ballkani Perëndimor të integrohet. Ai shtoi se masat e sigurisë së Kosovës ndaj Serbisë janë të domosdoshme, përderisa grupi paramilitar terrorist që kreu agresionin më 24 shtator në Banjskë është i lirë. I pyetur për Ballkanin e Hapur, Kurti tha se nuk është mjaftueshëm evropian dhe s’ka as strategji zhvillimi dhe as plan veprimi.