Samiti, RTSH sjell detaje nga agjenda e Presidentit Begaj. Takime me Eskobarin dhe Borelin
I pranishëm në Samitin e OKB-së në Nju-Jork, Presidenti Bajram Begaj pritet të zhvillojë edhe një sërë takimesh të rëndësishme. Gazetarja e RTSH-së, Blerta Tafani, e cila ndodhet në Nju-Jork, ka bërë me dije se Begaj do takohet me të dërguarin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar (Gabriel Escobar) dhe përfaqësuesin e lartë të BE, Xhosep Borel (Josep Borrell).
Sipas gazetares Tafani, Eskobar do të zhvillojë edhe një drekë me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, ku do të diskutohet mbi problematikat me të cilat po përballet rajoni.
Po ashtu, Presidenti Begaj do të zhvillojë edhe takime bilaterale gjatë javës, sikurse ishte edhe ai me Presidentin e Zvicrës, ndërsa ditën enjte do të mbajë fjalën e tij në Samit.
“Presidenti Begaj ka vijuar të jetë pjesëmarrës në seancën e radhës që ka nisur me fjalimin që Presidenti i SHBA ka patur. Begaj do të ketë dy takime të rëndësishme, me Gabriel Eskobar dhe Borel. Me Eskobar do të ketë dhe një drekë me të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor. Begaj gjatë javës do të ketë edhe takime bilaterale, siç ishte ai me Presidentin e Zvicrës. Të enjten është dita kur Begaj do ketë fjalën e tij në Samitin përkatës”, u shpreh gazetarja Tafani.
Kreu i shtetit mbajti sot fjalën e tij në takimin e nivelit të lartë, që i parapriu nisjes së Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku theksoi se zhvillimi i qëndrueshëm “është garancia jonë më e fortë për një botë të karakterizuar nga paqja e stabiliteti”.