Sanjol i irrituar me arbitrat: Goli i parë i Spanjës duhej anuluar!
Gjeorgjia i jep lamtumirën Euro 2024 pas një paraqitjeje dinjitoze përballë Spanjës. Për trajnerin skuadra debutuese mund të kishte marrë diçka më shumë.
Gjeorgjianët e nisin mirë ndeshjen me Spanjën madje dhe kaluan të parët në avantazh pas autogolit të Le Normand, por u barazuan pa mbyllur pjesa e parë nga Rodri.
Një gol që shkaktoi diskutime pasi topi kaloi pranë Moratës, i cili ishte në pozicion jashtë loje dhe mund të ndikonte në fushëpamjen e portierit Mamardashvili. Sistemi VAR ndërhyri dhe e kontrolloi këtë moment, teksa në fund u vendos që goli të akordohej. Pikërisht, ky episod nuk e lë të qetë trajnerin e Gjeorgjisë, Vili Sanjol i cili pas eliminimit theksoi se goli i Rodrit duhej anuluar.
“Ishte një pozicion i qartë jashtë loje. VAR është një instrument i shkëlqyer, problemi është se nuk dinë ta përdorin siç duhet. Nuk e kuptoj përse goli i parë i Spanjës nuk u anulua për pozicion jashtë loje. Më këtë Europian ka ndodhur që janë anuluar gola të ngjashëm, nuk më pëlqeu ajo që ndodhi. VAR nuk po përdoret mirë dhe në fund e paguajmë ne”, u shpreh Sanjol.