Sanksionet ndaj Rusisë, BE dakordësohet për paketën e gjashtëmbëdhjetë

BE dakordësohet

Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian ranë dakord të mërkurën për vendosjen e një raundi të ri sanksionesh ndaj Rusisë, pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u shpreh një ditë më parë se Europa do të thirrej në tryezën e bisedimeve për të diskutuar reduktimin apo edhe heqjen e sanksioneve ndaj Kremlinit.

Ka disa palë të tjera që kanë vendosur sanksione. BE-së do t’i duhet që në një pikë të ulet në tryezë, sepse edhe ata kanë vendosur sanksione,” u shpreh Rubio pas takimit me homologun e tij rus, Sergej Lavrov, në Riad të Arabisë Saudite.

Ndërsa theksoi se të gjithë palët duhet të bënin lëshime, kur u pyet për mospërfshirjen e Europës në procesin e negociatave, Rubio u përgjigj se askush nuk po anashkalohej.

Megjithatë blloku europian ka vendosur të vijojë politikën e tij ndëshkuese, të paktën për momentin.

Dakordësia e ambasadorëve për sanksione të reja u arrit para trevjetorit të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, kur kolegji i komisionerëve do të zhvillojë një vizitë në Kiev.

Paketa e 16-të e sanksioneve të reja përfshin ndalimin e importeve të aluminit rus, një ide e diskutuar në të shkuarën, por që nuk pati qenë miratuar pasi disa shtete anëtare shqetësoheshin për ndikimin ekonomik të kësaj lëvizjeje.

Alumini i papërpunuar rus përbën 6 për qind importeve të aluminit të BE-së, një shifër kjo shumë më e ulët se në të shkuarën, pasi shumë prodhues europianë kanë shkëputur marrëdhëniet me furnizuesit rusë.

Sanksionet e reja gjithashtu fusin në listën e zezë anijet naftëmbajtëse që i përkasin asaj që quhet flota ruse në hije, të cilën Kremlini e përdor për të shmangur kufizimet perëndimore mbi tregtinë e naftës dhe që është një burim kryesor i financimit të luftës ndaj Ukrainës.

Flota në fjalë raportohet se përbëhet nga qindra anije të vjetra të pasiguruara, që dyshohen për praktika mashtruese, përfshi transmetimin e të dhënave të falsifikuara, fikjen e pajisjeve të gjurmimit të tyre apo edhe transferimin e naftës në anije të tjera në mënyrë që të fshihet origjina e këtij produkti.

Nën sanksionet për të cilat u ra dakord këtë të mërkurë, dhe që do të miratohen të hënën e ardhshme në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të BE-së, 13 banka ruse përjashtohen nga sistemi elektronik i pagesave Swift, ndërsa pezullohen edhe licensat e transmetimit për tetë medie ruse.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.