Sanremoja ngre siparin, nis Festivali i 74-t i këngës italiane
Të martën në mbrëmje në Teatrin Ariston të Sanremos ka ngritur siparin Festivali i 74-t i këngës italiane.
Nën drejtimin artistik të Amadeus, nata e parë ka sjellë performancën e 30 këngëtarëve pjesëmarrës në këtë festival.
Marko Mengoni (Marco), fituesi i vitit të kaluar, ka qene jo vetëm i ftuar special, por edhe bashkëprezantues i natës së parë.
Të tjerë emra që do shoqërojnë Amadeus në skenë gjatë këtyre netëve do jenë: Giorgia, Teresa Mannino, Lorella Cuccarini dhe Fiorello.
Risia është fakti që në mbrëmjet e ndërmjetme, artistët që nuk do të performojnë do të dalin në skenë për të prezantuar kolegun pasardhës. E premtja do jetë e dedikuar ndaj artistëve më të mirë në vend që kanë vulosur historinë e muzikës italiane.
Një ndër vendimet më të rëndësishme të Sanremos është ndryshimi i mënyrës së votimit. Këtë vit përveç votave me mesazhe nga publiku dhe votave të jurisë në sallë, do të shtohen edhe votat online nga publiku dhe votat e një jurie të dytë radiofonike.
Ngjarja më e madhe e muzikës italine, e ndjekur historikisht edhe nga publiku shqiptar, vjen përmes valëve të RTSH 2, ndërsa nata finale do të mund të ndiqet në RTSH 1.