Scholz vizitë në Kinë, bisedime për të rritur bashkëpunimin ekonomik e politik mes vendeve
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka mbërritur në Kinë ku do të zhvillojë një vizitë tre ditore, ndërsa 2024 shënon 10 vjetorin e partneritetit gjithëpërfshirës strategjik Kinë-Gjermani. Scholz do të takohet me Presidentin Xi Jinping dhe gjithashtu do të zhvillojë bisedime me Kryeministrin Li Qiang për marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet me interes të përbashkët, thuhet në një njoftim të ministrisë së jashtme gjermane.
Sholz, i cili po zhvillon vizitën e tij të dytë në Kinë që nga marrja e detyrës ka marrë atje edhe një delegacion biznesi, dhe udhëheqësi gjerman pritet të trajtojë ankesat mbi deficitin tregtar midis tregut të përbashkët të BE-së dhe ekonomisë së dytë më të madhe në botë. Për 8 vite rresht Kina ka mbetur partneri më i madh tregtar global i Gjermanisë.
Për më tepër, vitin e kaluar, investimet direkte të Gjermanisë në Kinë u rritën me 4.3 për qind krahasuar me atë të një viti më parë, duke arritur nivelin më të lartë historik prej 11.9 miliardë euro. Kina e sheh vizitën e Scholz-it si një mundësi për të thelluar bashkëpunimin dhe për të arritur një zgjidhje, kryesisht për atë të importeve të makinave elektrike kineze të cilat kanë një çmim më të ulët sesa ato që prodhohen në BE.
Scholz gjithashtu pritet të dikutojë edhe për lidhjet e Kinës me Rusinë për luftën në Ukrainë si dhe agresivitetin e Pekinit ndaj Tajvanit një ishull i vetëqeverisur që Kina e pretendon si të vetin.