Seanca plenare, gazetarja e RTSH Sonila Agostini jep detaje
Gazetarja e RTSH Sonila Agostini ka bërë një përmbledhje të situatës parlamentare të sotme, e cila u shoqërua mes akuza nga ana e opozitës në drejtim të Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe përfaqësuesve të tjerë socialistë në lidhje me Amnistinë Penale.
Agostini raportoi se nga ana e deputetit Enkelejd Alibeaj dhe kryedemokratit Lulzim Basha pretendohet se mazhoranca ka liruar me anë të Amnistisë Penale persona të dënuar për vepra të rënda korrupsioni. Gazetarja shtoi gjithashtu, se z.Manja rrëzoi pretendimet e opozitës duke lexuar nga foltorja e Kuvendit vetëm emrat e personave që përfituar nga Amnistia dhe që nuk kanë qenë të dënuar për vepra penale të dënimit nga korrupsioni.
“Kuvendi ka hyrë në rrjedhën normale të punimeve pasi ka përcjellë një pjesë të rendit të ditës që lidhet me kërkesën e opozitës drejtuar Ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja në lidhje me Amnistinë Penale e cila hyri në fuqi në datën 24 prill.
Sipas grupit parlamentar të Partisë Demokratike zyrtare rezulton se sipas të dhënave që ata disponojnë si grup parlamentar një pjesë e personave të dënuar që fituan nga Amnistia Penale ishin persona të dënuar për korrupsion me vendim të GJKKO. Por interpelanca e z. Manja e cila erdhi menjëherë si një përgjigje ndaj reagimit dhe pretendimeve të grupit parlamentar të PD u përpoq të shteronte dhe të rrëzonte këto pretendime të opozitës.
Z. Manja e sfidoi këtë grup parlamentar të pakicës në parlament duke lexuar vetëm emrat e personave dhe duke ruajtur anonimatin e tyre duke përmendur me iniciale mbiemrat e tyre dhe sipas z.Manja lista është e dakordësuar dhe aprovuar me strukturën e posaçme antikorrupsion dhe me GJKKO. dhe sipas kësaj liste rezulton se 18 personat që kanë përfituar, kanë përfituar shumë pak ulje dënimi dhe jo për vepra penale të dënimit nga korrupsioni, por për vepra të tjera penale që kanë qenë në ndjekje nga strukturat e posaçme të drejtësisë.
Alibeaj tha se po vazhdon një sulm frontal nga qeveria në bashkëpunim me pjesën tjetër të opozitës kundër SPAK dhe GJKKO dhe se sipas z.Alibeaj i mbështetur edhe nga deklarata e z.Basha ka një marrëveshje të fshehtë që po zhvillohet nën rrogoz mes shumicës qeverisëse, për të cilën akuzoi drejtpërdrejtë z.Manja dhe përfaqësues të tjerë të PS-së bashkë me pjesën tjetër të opozitës të udhëhequr nga ish-kryeministri Berisha, një fron anti-SPAK në përpjekjen për të mbrojtur kërkesat e tyre drejtuar z.Manja duke pretenduar se nga amnistia u liruan persona të dënuar për vepra të rënda të korrupsionit”, u shpreh gazetarja Agostini.