Sejko: Janë intensifikuar sulmet kibernetike, s’kemi investues nga vendet dashakeqe
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në fjalën e tij gjatë seancës dëgjimore në Komisionin kundër Dezinformimit, bëri me dije se kohët e fundit janë intensifikuar sulmet kibernetike.
Sejko solli në vëmendje rastin e një banke të nivelit të dytë, e cila ra pre e sulmeve kibernetike. Sulmi në fjalë, sqaroi guvernatori, nuk cenoi llogaritë bankare dhe falë koordinimit të institucioneve ligjzbatuese, u izolua në kohë rekord.
“Lidhur me plotësimin e kuadrit rregullator për sulmet kibernetike, gjatë kohëve të fundit, Banka e Shqipërisë gjatë dy viteve të fundit ka pasur sulme të ndryshme. Kjo na ka bërë që të marrim masa të vazhdueshme në lidhje me mbrojtjen e sistemit informatik dhe sistemeve të qarkullimit të pagesave të cilat kanë një rëndësi kritike për sigurinë kombëtare të vendit”, deklaroi Sejko.
Guvernatori bëri me dije gjithashtu se në mbledhjen e radhës së Këshillit Mbikqyrës do miratohet rregullorja e re për mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike dhe teknologjisë së informacionit.
“Banka e Shqipërisë me asistencën teknike të Departamentit Amerikan të Thesarit ka përgatitur një rregullore për mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike dhe teknologjisë së informacionit, DORA, e cila do miratohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Mbikëqyrës. Kjo rregullore parashikon masa më të organizuara për mbrojtjen e sistemit bankar ndaj sulmeve kibernetike. Kjo rregullore do të rrisë mënyrën e mbrojtjes së bankave të nivelit të dytë nga sulmet kibernetike”, u shpreh Sejko.
Sejko: Në institucionet financiare jobankare s’kemi pronarë nga vendet dashakeqe
Kryetari i Komisionit kundër Dezinformimit, Erjon Braçe, ngriti shqetësimin për sektorin financiar jobankar dhe rrezikun që brenda tij të depërtojnë palë të huaja jomiqësore me Shqipërinë.
Erjon Braçe: “I gjithë sektori jobankar është zmadhuar. Kemi një analizë të pronarëve përfitues në këtë sektor?”
Gent Sejko: “Kemi të njëjtat kërkesa për pronarët përfitues, si bankat, dhe kryejmë të njëjtin vlerësim. Të dhënat që ne kemi nuk na konfirmojnë që të kemi pronarë përfitues nga vende dashakeqe. Sigurisht ne koordinojmë informacionet me institucionet homologe dhe me Agjencinë e Mbikëqyrjes Financiare.”
Braçe: “Në sistemin jobankar nuk kemi asnjë pronar përfitues që të jetë me origjinë edhe të kapitaleve nga vende jomiqësore me vendin tonë?”
Sejko: “Vendet jomiqësore përcaktohen nga Ministria e Jashtme. Ne shikojmë nëse ka pronarë të sanksionuar nga komiteti i masave shtrënguese ndërkombëtare, dhe në këtë listë nuk kemi asnjë aksioner të tillë.”
Braçe: “Kemi hasur në tregje të tjera kompani që janë regjistruar në vendet e Bashkimit Europian, por pronari përfitues vjen nga vende jomike, jomiqësore as me Shqipërinë, as me vendet e Perëndimit. Pra në momentin që filloi lufta, sanksionet, ka ndodhur fenomeni që janë zhvendosur nga atje në vendet e BE-së, operojnë prej tyre, por zotërojnë kapitale që e kanë origjinën nga këto vende jomike. Ky është një shqetësim që duhet vlerësuar kohë pas kohe, sepse shqiptarët janë të ndjeshëm për paratë e tyre, qoftë depozita, qoftë borxhe.
Në fushën e pasurive të patundshme, nga analizat tuaja a ka individë apo kompani që po ndërhyjnë në këtë drejtim?”
Sejko: “Ne bëjmë një analizë makroekonomike për të parë nga vijnë burimet e pasurisë së patundshme. Sigurisht që pasuritë e patundshme po rriten edhe nga investimet publike. Këto kompani nuk raportojnë vetëm në Bankvn e Shqipërisë, por mbikëqyren edhe nga institucionet e tjera, si Agjencia e Inteligjencës Financiare etj. Ka pasuri që blihen nga jorezidentët ose nga kursimet e qytetarëve shqiptarë. Investimet nga jorezidentët kalohen përmes kanaleve bankare dhe i nënshtrohen ligjit për parandalimin e pastrimit të parasë.”