Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken do të vizitojë Tiranën javën e ardhshme
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të vizitojë Tiranën javën e ardhshme. Departamenti Amerikan i Shtetit bëri të ditur se Blinken do të udhëtojë në Shqipëri dhe Gjermani nga data 14 deri 17 shkurt. Ai do të vizitojë Tiranën duke e vlerësuar, sipas DASH, “një partnere kyçe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”.
Vizita e Blinken në vendin tonë ka për synim që të rikonfirmojë lidhjet e forta mes Uashingtonit dhe Tiranës.
“Sekretari Amerikan i Shtetit Antony J. Blinken do të udhëtojë në Tiranë, Shqipëri dhe Mynih, Gjermani, nga 14-17 shkurt. Në Tiranë, Sekretari Blinken do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, një partner kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i fortë në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Në Mynih, Sekretari Blinken do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut si pjesë e delegacionit amerikan të kryesuar nga zëvendës presidentja Kamala Harris. Sekretari do të mbajë takime dypalëshe për të nënvizuar mbështetjen e qëndrueshme të Shteteve të Bashkuara për popullin e Ukrainës, për të vazhduar diskutimet me partnerët se si të arrihet paqe dhe siguri e qëndrueshme në Lindjen e Mesme dhe për të theksuar angazhimin tonë të palëkundur për sigurinë transatlantike. Sekretari Blinken do të bashkohet gjithashtu me partnerët ndërkombëtarë për një forum publik mbi multilateralizmin.”, thuhet në njoftimin për shtyp të DASH.
Në Gjermani, Blinken do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë të Munihut, ku do të diskutojë për Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe sigurinë transatlantike.