Sekuestrohen 13 kg kanabis / Dje u godit grupi kriminal që kultivoi 10 mijë rrënjë kanabis
Një ditë pasi policia arrestoi 3 pjestarë të një grupi kriminal për kultivim droge dhe shpalli në kërkim 6 prej tyre , policia e Shkodrës ka gjetur sekuestruar një sasi droge në një banesë të pabanuar në afërsi të lumit Kir.
Siç njofton policia, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, rreth 13.8 kg lëndë narkotike cannabis sativa dhe sende për përpunimin e lëndës, që posedoheshin nga këta 9 shtetas, të cilët u identifikuan dje.
Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas të organizuar si grup, kishin kultivuar 10 274 bimë cannabisi, në fshatrat Kir dhe Pult, veprimtari kriminale e cila u shkatërrua nga Policia e Shkodrës, në gusht të këtij viti, si rezultat i fazës së 12-të të megaoperacionit “Alpe të pastra”.
Në pranga kanë rënë Arben Shpati 34 vjeç, Pavlin Shpati, 41 vjeç Aurel Fejzo 23 vjeç.
Në kërkim janë shpallur: Gjovalin Shpati, 37 vjeç, Artan Shpati, 30 vjeç, Aleksandër Shpati, 34 vjeç, Fatmir Shpati, 34 vjeç, Mhill Shpati, 31 vjeç dhe Aleksandër Rrasa, 23 vjeç, banues në fshatrat Bardhaj dhe Grude e Re.
Të arrestuarit kanë lidhje familjare dhe shoqërore me njëri-tjetrin dhe nga veprimet hetimore dyshohet se kanë bashkëpunuar duke vepruar në formën e grupi kriminal ku secili kishte rolin e tij, nga sigurimi i farave narkotike deri në kultivimin, prodhimin dhe shitjen e lëndës narkotike.