Sekuestrohen 331 mijë euro në PKK Muriqan – Paratë po tentoheshin të futeshin ilegalisht në Shqipëri
Policia e Shkodrës ka finalizuar me sukses në PKK Muriqan një operacion të koduar “Zinxhiri”, për goditjen e një rasti të mosdeklarimit të parave, që dyshohet janë përfituar nga veprimtaritë kriminale.
Sipas burimeve zyrtare të policisë, për këtë rast është arrestuar një shtetas 36- vjeçar, banues në Kryemadh, dhe ka nisuar procedimi në gjendje të lirë për një shtetas 35-vjeçar, banues në Lezhë.
Gjatë operacionit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Policisë në PKK Muriqn kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, automjetin tip “Mercedez Benz” me drejtues shtetasin me inicialet F. H. dhe pasagjer shtetasin me inicialet P. M.
Gjatë kontrollit, në dy hapësira të modifikuara (në pjesën e tavanit dhe të bagazhit të automjetit), u gjetën 331 000 euro, që këta shtetas po tentonin t’i fusnin ilegalisht në Shqipëri.
Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 2 celularë.
Aktualisht po vijojnë hetimet për të provuar burimin e parave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.