Sekuestrohen pasuritë e një të dënuari në Itali, në BE shfrytëzonte prostituta, paratë i investonte në Shqipëri
Me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata e këtij qyteti ka sekuestruar pasuritë e shtetatasit me iniciale K . N, i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni.
Bëhet fjalë për një njësi tregtare, me sipërfaqe 112.3 m2, me vlerë në treg rreth 500,000 (pesëqind mijë) euro dhe 420 m2 truall, në të cilën është ndërtuar një ndërtesë 139 m2.
Vendimi u mor më 16 prill 2024 nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi ishte dënuar me 13 vjet e 5 muaj burgim për veprën penale të ‘Shfrytëzimit të prostitucionit’. Ai u arrestua në mars 2023 në Shkodër.
Prokuroria e Shkodrës regjistroi procedimin penal për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” . Pas informacioneve të siguruara se ky shtetas, pasi ka fituar të ardhura të konsiderueshme si rrjedhojë e përfshirjes në veprimtari kriminale të shfrytëzimit të prostitucionit dhe trafikimit të narkotikëve, kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian, ka filluar procesin e pastrimit të tyre në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet investimit në blerjen e pasurive të paluajtshme, automjeteve dhe hapjen e veprimtarive të ndryshme tregtare, në emër të tij ose personave të lidhur me të”, informoi sot Prokuroria e Shkodrës