Sekuestrohen pronat e biznesmenit, Ago Gjolaj akuzohet si i përfshirë në veprimtari kriminale dhe pastrim parash
Prokuroria e Shkodrës ka sekuestruar pasuritë si dhe 97 automjete të shtetasit Ago Gjolaj nga Malësia e Madhe, si dhe personave të lidhur me të, pasi akuzohet për veprën penale të ‘Pastrimi i Produkteve të veprës penale’. Sipas Prokurorisë, pas hetimeve të kryera ka rezultuar se biznesmeni Gjolaj është marrë me kontrabandimin dhe tregtimin e mallrave kontrabandë, si dhe është evidentuar si pjesëmarrës në grup kriminal që merret me trafikimin e lëndëve narkotike. Gjithashtu, sipas prokurorisë pasuritë e tij dhe të familjarëve të tij nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike. Prokuroria e Shkodrës ka regjistruar një procedim penal ndaj Ago Gjolajt pas referimit nga DVP e Shkodrës, e cila ishte vënë në dijeni nga Interpol Tirana, për veprën penale të ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’. Sonela Gjolaj, bashkëshortja e biznesmenit, më datë 12 prill 2018 ka nënshkruar kontratë për blerjen e një jahti me vlerë 300 mijë euro prej një shtetasi malazez S.J. i përfshirë në veprimtari kriminale dhe pastrim parash. Shoqëria merret me tregtim mallrash të ndryshme industrial, pije energjike, alkolike dhe distribucione të tyre me shumicë dhe pakicë, ushqimore, fruta perime, tregtim automjetesh të çdo marke dhe tonazhi e pjesë këmbimi, eksport-import, tregtim makinerish të ndryshme dhe pajisje industriale dhe materiale në fushën e ndërtimit ,tregtim bimësh medicinale e drusore eksport-import. Eksport-përpunim kafe, sheqeri, mielli, orizi, mishi, elektroshtepiake artikuj eksport -importi-lëndë ndërtimi eksport-import ,komplekse blektorale e bujqësore,artikuj fruta e perime eksport-import ,turizëm,argjendari,bizhuteri,prodhim uji. Shërbime ndërmjetësimi dhe huadhënie.