Sekuestrohen rreth 25 mijë rrënjë kanabis/ “Territor i pastër” shpallen në kërkim 3 vëllezër
Në vijim të megaoperacionit kombëtar policor, të koduar “Territor i pastër”, u evidentua dhe u godit 1 rast tjetër i kultivimit të bimëve narkotike, në Velipojë. Shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër dhe me Komisariatin e Shkodrës, në fshatin Rrjoll, në vendin e quajtur “Maja e Zezë”, gjetën dhe asgjësuan 24 759 bimë kanabisi. Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve profesionale policore: -u identifikuan dhe u shpallën në kërkim autorët e dyshuar të rastit, shtetasit M. N., 30 vjeç, P. N., 36 vjeç, dhe L. N., 32 vjeç, të tre banues në fshatin Rrjoll; Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit T. Sh., 61 vjeç, dhe P. M., 61 vjeç, të dy banues në Velipojë, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se nuk kanë konstatuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike që ishte krijuar për këtë veprimtari kriminale. Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.