Senati italian miraton marrëveshjen për pensionet, përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë

Senati italian ka miratuar sot (5 mars) me 129 vota pro dhe asnjë kundër, marrëveshjen me Shqipërinë për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore.
Nga kjo marrëveshje përfitojnë mbi 500 mijë shtetas shqiptarë, të cilët punojnë dhe jetojnë në Itali dhe rreth 4 mijë shtetas italianë në Shqipëri.
Sipas marrëveshjes, të dyja vendet do të krijojnë një fond specifik, që do t’i japë fund problemit për kontributet shoqërore për shtetasit e tyre.
Përmes marrëveshjes do të mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet, si dhe sigurimet për papunësinë, si për shqiptarët që jetojnë në Itali, ashtu edhe për shtetasit italianë që jetojnë, punojnë dhe derdhin kontributet e tyre në Shqipëri.
Kujtojmë se marrëveshja Shqipëri–Italia për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore u arrit më 6 shkurt 2024.
Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në Romë nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.
Gjatë punimeve të seancës plenare të Senatit italian ka qenë i pranishëm edhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
Teksa ka postuar në rrjetet sociale videon gjatë zhvillimit të seancën plenare, Balla shkruan:
“U kry! Me të gjitha votat PRO Senati i Parlamentit Italian ratifikoi finalizimin e marrëveshjes midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Italiane në fushën e Sigurimeve Shoqërore/Pensionet”.
Sipas Ballës, “kjo është një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë bashkëatdhetarët tanë në Itali, por edhe familjarët e tyre kudondodhur, sepse me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes të gjithë ata (450.000-500.000 shqiptare) që kanë shumë vite që jetojnë, sakrifikojnë, punojnë dhe kontribuojnë në zhvillimin e ekonomik të Italisë, (nga ’90 e këtej) por edhe të atyre shtetasve italianë që kanë kontribuar e punojnë në Shqipëri, do të kenë më në fund mundësi të gëzojnë dhe përfitojnë sigurimet shoqërore/pensionet. Me firmosjen nga Presidenti Mattarella Marreveshja hyn në fuqi”.