Senati italian voton me 93 vota pro marrëveshjen për emigrantët. Amnesty International: Të ndalet
Senati italian ka miratuar me 93 vota pro, 61 kundër dhe asnjë abstenim marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët.
Marrëveshja u nënshkrua më 6 nëntor 2023 mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane Georgia Meloni për krijimin në Shqipëri të strukturave për pritjen e deri 3 mijë emigrantëve që shpëtohen në det.
Marrëveshja, mbetet në fuqi për 5 vjet dhe rinovohet në heshtje për një periudhë të mëtejshme prej 5 vjetësh, përveç rasteve kur njëra nga dy palët kundërshton rinovimin dhe duhet të lajmërojë të paktën gjashtë muaj.
Për sa i përket kostove të lidhura, projektligji parashikon që pala italiane, brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, krediton 16.5 milionë euro si paradhënie të një shume të madhe të rimbursimeve që lidhen me vitin e parë të aplikimit. Më pas, pala shqiptare do t’i komunikojë palës italiane shumën e shpenzimeve të kryera në semestrin e kaluar. Në mënyrë të veçantë, ligji autorizon shpenzime për vitin 2024 që synojnë krijimin e strukturave të nevojshme, që arrijnë në rreth 47.7 milionë euro.
Amnesty International ka reaguar mbi vendimin e senatit italian duke e kundërshtuar atë dhe duke theksuar se marrëveshja Itali-Shqipëri do të krijonte një sistem të paligjshëm dhe të dëmshëm, dhe që të ndalet.
Sipas studiuesit të Amnesty International, Matteo De Bellis, autoritetet italiane duhet të sigurojnë akses në një procedurë efektive azili dhe rrugë të sigurta dhe të rregullta hyrjeje.
“Njerëzit që zbarkonin në Shqipëri dhe dërgoheshin në qendra, përfshirë azilkërkuesit, do të ndaloheshin automatikisht, pa mundësinë e largimit nga objektet deri në 18 muaj. Sipas ligjit ndërkombëtar, ndalimi automatik është në thelb arbitrar dhe për këtë arsye i paligjshëm.
“Është vërtetë koha që institucionet evropiane të pranojnë se marrëveshja Itali-Shqipëri do të krijonte një sistem të paligjshëm dhe të dëmshëm, i cili duhet të ndalet. Në vend që të rrezikojnë jetën e njerëzve, autoritetet duhet të sigurojnë akses në një procedurë efektive azili dhe rrugë të sigurta dhe të rregullta hyrjeje”, tha ai.