Serbi, mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare
6.5 milionë qytetarë serbë janë thirrur këtë të diel të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit në parlamentin me 250 vende.
Zgjedhjet e parakohshme të kësaj të diele u shpallën nga presidenti Aleksandar Vuciq, një lëvizje kjo përmes së cilës ai synon të konsolidojë udhëheqjen e tij pas protestave masive që u mbajtën për javë të tëra në rrugët e kryeqytetit Beograd për shkak të dy sulmeve me armë ndërmarrë në muajin maj si pasojë e të cilëve humbën jetën 18 persona, mes të cilëve edhe nëntë nxënës.
Partitë opozitare dhe grupet e të drejtave të njeriut akuzojnë presidentin Aleksandar Vuciq dhe partinë e tij progresiste serbe për blerje votash, kufizim të lirive të mediave, dhunë ndaj kundërshtarëve, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, pretendime këto që janë hedhur poshtë nga Vuciq dhe aleatët e tij.
Megjithatë, në një sondazh të ndërmarrë së fundmi, partia progresiste serbe dhe aleanca e saj Serbia nuk duhet të ndalojë, kryeson me 39.8 përqind të votave, duke u pasura nga aleanca Serbia kundër dhunës me 25.6 përqind të votimeve dhe partia socialiste e ministrit të jashtëm Ivica Dacic, një partnere e Partisë Progresiste, me 8.9 përqind të votave.
Përveç zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të pestat që mbahen që nga viti 2021, zhvillohen edhe zgjedhjet lokale në shumë bashki, në Beograd si dhe në provincën veriore të Vojvodinës.
Në zgjedhjet serbe votojnë edhe serbët e Kosovës, të cilët ndryshe nga vite më parë, tashmë nuk do të votojnë në territorin e Kosovës, por në katër qytete në jug të Serbisë.
Prishtina ndërkohë Iu ka bërë thirrje shqiptarëve në luginën e Preshevës që të votojnë në zgjedhjet parlamentare serbe, pasi, siç u shpreh zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, projekti serb për heshtjen e zërit shqip duhet të përballet me rezistencë dhe mosnënshtrim.