Serbia bllokon autobusët e Kosovës, mban “peng” 300 shqiptarë në kufirin me Kroacinë
Serbia ka bllokuar 300 shqiptarë të Kosovës në kufirin me Kroacinë duke ndaluar autobusët e tyre. Qytetarët e Kosovës kanë treguar përmes videove se ata kanë mbetur të bllokuar prej 9 orësh në pikën kufitare Kosovë – Serbi, teksa autoritetet serbe nuk u japin sqarime pse po ndodh diçka e tillë.
Ndërkohë, Sekretari i parë i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli ka konfirmuar se në pikëkalimin ‘Batrovci’, Serbi – Kroaci, që nga mesnata po mbahen të bllokuar disa autobus me targa dhe udhëtarë të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, autoritetet serbe po e bëjnë këtë veprim pa ndonjë arsye, por thjesht “në shenjë hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion”.
“Bllokimi i rreth 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’. Duke qenë që Zyra Ndërlidhëse serbe nuk po komunikon me Zyrën tonë, siç ndodhi edhe këtë mëngjes, kam kërkuar dhe jam në pritje të përcjelljes së afërt, që të udhëtojë drejt pikëkalimit Batrovci, për t’ju gjetur pranë bashkëqytetarëve tanë dhe në shenjë proteste ndaj këtij zhvillimi”, ka shkruar Haxholli në Facebook.