Serbia i ndaloi hyrjen, Klara Sanduloviq: Shërbimi sekret u përpoq të më frikësonte, më pyetën për Kurtin
Klara Sanduloviq, vajza e liderit të opozitës serbe Nikolla Sanduloviq pas kryerjes së homazheve në varrezat e Prekazit, u mor për katër orë në pyetje nga autoritetet serbe duke i ndaluar gjithashtu dhe hyrjen në Serbi.
Në një lidhje Skype në emisionin Jetë Shqiptare, Klara deklaroi se është marrë për katër orë në pyetje nga shërbimi serb të cilët sipas saj, kanë tentuar ta frikësojnë.
Po ashtu, Klara bëri me dije se një prej oficerëve të shërbimit sekret i ka thënë se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti po e përdorte për suksesin e tij politik.
“Kur u ktheva u ndaluam 4 orë në kufi dhe në fillim më kërkuan të flisja me shërbimin serb. Ishte shumë iu dhunshëm dhe u përpoq të më frikësonte.
I tregova se nuk do flisja në këto rrethana dhe nuk do e pranoja këtë lloj dhune, kështu që ata dërguan një tjetër oficer për të folur me mua. Ai bëri një bisedë me mua për më tepër se tre orë ku më bëri pyetje të ndryshme se çfarë fola me z. Kurtin, pse isha në Prekaz? Kë takova në Prishtinë? Kush e përkrah partinë time politike? Me kë jam unë në kontakt?
Unë nuk kisha shumë informacion për ta sepse jam thjesht një aktiviste politike. Ata më thanë se ajo që bëra është kundër vendit tim. Kështu që po më thoshin se si z.Kurti po më përdorte për suksesin e tij politik. Unë po i thosha se nuk dua të flas për këtë sepse është diçka që nuk më përket.
Ata më pyetën nëse unë udhëtoj shumë, ku punoj, ku e kaloj kohë e lirë, cilët janë kolegët e mi. Më pyeti në një mënyrë brutale, i thash se nuk kam lidhje me këtë gjë dhe incidentit me nënën time.
Oficeri i parë më shtyu jashtë zyrës së tij dhe po bërtiste dhe përplasi derën. Ishte pak e frikshme. Ai humbi kontrollin e tij sepse unë nuk doja të flisja me të”, tha ajo.
Kujtojmë se edhe babi i saj, Kreu i Partisë Republikane të Serbisë u arrestua një ditë pasi bëri homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz, ku mbi 50 anëtarë të saj u vranë në vitin 1998 gjatë luftës në Kosovë.
Më 15 janar, ai u lirua nga paraburgimi në qytetin jugor të Serbisë, Nish, ku po mbahej që nga 5 janari.