Categories: LajmeRajoni

Serbia në zi kombëtare për sulmuesit e vrarë në Kosovë, Rama: Sinjali më i keq

Shpallja e të mërkurës ditë zie kombëtare në Serbi me rastin e vrasjes së katër serbëve të dyshuar për sulmin e fundjavës ndaj Policisë së Kosovës është cilësuar “e papranueshme” nga kryeministri Edi Rama.

Qeveria serbe njoftoi të gjitha mediet dhe organizatorët e ngjarjeve publike “që programin e tyre ta përshtatin me Ditën e Zisë të mërkurën, më 27 shtator, dhe në këtë mënyrë t’i bëjnë respekt viktimave në Kosovë”.

Por shefi i qeverisë në Tiranë e quajti veprimin “sinjalin më të keq që Serbia mund t’i jepte rajonit dhe komunitetit euro-atlantik.

Beogradi me këtë shpallje zije që nuk ka asnjë lidhje me shekullin XXI, i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur! Kjo është jo vetëm e pajustifikueshme dhe e papranueshme, por e dënueshme me të gjithë forcën e fjalës e të instrumenteve në dispozicion të bashkësisë euro-atlantike!

Për kryeministrin Rama, komuniteti ndërkombëtar duhet të shprehet për zhvillimin më të fundit, ndërsa nga Kosova kërkoi që të reflektojë seriozisht dhe të rikthejë harmoninë diplomatike me partnerët.

Ky është momenti kur Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta ndajnë qartë e prerë mendjen nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për ta ndalur përshkallëzimin e konfliktit në Veriun e Kosovës, i cili ka hyrë në fazën e vet më të rrezikshme qysh prej vitit 1999 apo do të vazhdojnë t’i mbajnë Dialogun për Normalizim dhe angazhimin e KFOR-it në të njëjtin nivel krejt të pamjaftueshëm tanimë! Kjo e dyta sot është krejt e pakëshillueshme, por nesër mund të bëhet krejt e pajustifikueshme, sepse nesër mund të jetë vonë edhe për të parën! Prandaj apeli i Shqipërisë për miqtë e mëdhenj e aleatët strategjikë të Ballkanit Perëndimor është: Veprimin e sotëm, mos e lini për nesër!

Ky është momenti kur edhe Kosova duhet të reflektojë shumë seriozisht dhe të ndajë mendjen qartë e prerë, nëse do të vazhdojë në kursin e veprimit të shkëputur nga miqtë e saj të pazëvendësueshëm dhe aleatët e saj të padiskutueshëm apo do të veprojë në harmoni e mirëkuptim me komunitetin euro-atlantik, për të arritur qëllimin më madhor në histori pas fitores së luftës e shpalljes së pavarësisë, njohjen përfundimtare si shtet anëtar i këtij komuniteti! Të gjitha rrugët e tjera përveç kësaj të dytës janë rrugë iluzionesh me përfundime të dhimbshme, të cilat e largojnë Kosovën nga qëllimi madhor, e zbrazin atë nga shpirti i ardhmërisë dhe e kthejnë në mënyrën më absurde peng të paqes në mes të Europës, pasi ka dalë fitimtare nga lufta për t’u bërë një vend i lirë europian,” shkroi kryeministri Rama në rrjetin X.

Lista Serbe dhe dyshimet e ministrit Sveçla

Duke i paraprirë shpalljes së qeverisë në Beograd, partia e minoritetit serb në Kosovë, Lista Serbe, kërkoi ditën uljen e gjithë flamujve në gjysmështizë.

26, 27 dhe 28 Shtatori janë shpallur ditë zie për shkak të vrasjes së bashkëqytetarëve tanë në eventet tragjike të fshatit Banjskë. Në emër të Listës Serbe dhe serbëve të Kosovës, ne u shprehim ngushëllimet më të thella familjeve të të vrarëve dhe u uroj shërim të shpejtë të plagosurve,” deklaroi partia serbe.

Sakaq, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ngriti akuzën e rëndë se pjesëtarë të Listës Serbe ishin edhe pjesëmarrës në agresionin e së dielës në Zveçan, ku ra edhe polici Afrim Bunjaku.

Ministri publikoi pamjet që dyshohet se e tregojnë Milan Radojçiqin, nënkryetarin e Listës Serbe, “po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar … si udhëheqës i këtij grupi terrorist”. 

Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiq përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiq, kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë. Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan,” reagoi ministri Sveçla në Facebook.

RTSH Shkodra

Recent Posts

Emisioni “Emocionet e pasndeshjes”/Të ftuarit analizojnë sfidën Vllaznia-Teuta

Analiza e ndeshjes, Vllaznia-Teuta dhe Abissnet Superiore, java e 14-teështë analizuar mjenjëherë pas ndeshjes në…

18 hours ago

Vllaznia fiton në fund ndaj Teutës/Shkodranët marrin provizorisht vendin e parë me 25 pikë

Vllaznia arrin të marrë një fitore të vyer në frymen e fundit ndaj Teutës mbrërmjen…

18 hours ago

Në kujtim të Zef Dedës/Homazhe në 1 vjetorin e ndarjes nga jeta të komedianit shqiptar

Familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë të shumtë kujtuan mjeshtrin e humorit Zef Deda. Aty ku…

18 hours ago

Lëvizjet në pikat kufitare/Rreth 6000 persona kanë lëvizur në 24 orë në Muriqan

Kjo e dielë e ka gjetur pikën e kalimit kufitar të Muriqanit me pak lëvizje…

18 hours ago

Alergjitë tek moshat e treta/ Duda: Kohët e fundit janë shtuar rastet e reja

Vitet e fundit po shtohen rastet e alergjive tek moshat e treta në Shkodër. Specialistët…

18 hours ago

Rijetëzimi i pazarit të Shkodrës/ Punimet për rikualifikimn e Zdrales po vijojnë

Puna për rehabilitimin e Zdrales po vijon në qyetin e Shkodrës.Aktualisht po punohet për shtrimin…

19 hours ago

This website uses cookies.