Serenata korçare në Shkodër, vëllezërit korçarë ishin të parët që nisën serinë e koncerteve të verës
Temperaturat janë rritur e bashkë me to edhe atmosfera dhe energjia pasi në sheshin e shatërvanit në hapësirën e vendosur nga Bashkia e Shkodrës, të emërtuar “Kryezona ku mblidhen kampiona” janë rikthyer koncertet e verës.
Mbrëmja e së enjtes ishte e para e serisë së gjatë që pritet të shoqërojë këto netë vere shkodranët, vizitorët vendas dhe ata të huaj për dy muaj me radhë. Vëllezërit korçarë sollën tingujt e qytetit të serenatave, Korçës në Shkodër e sigurisht nuk munguan as këngë të repertorit të tyre duke e bërë edhe publikun të këndojë bashkë me to. Disa nga hitet më të bukura erdhën në këtë natë.
Shkodranët shijuan tingujt e muzikës deri në orët e vona të mbrëmjes. Duke qenë një ditë pushimi për Kampionatin Europian të futbollit EURO 2024 të gjithë vëmendjen e mori muzika e mirë dhe plot ritëm.
Programi i koncerteve të verës vjen i pasur në këtë vit ku emra të njohur të skenës muzikore shqiptare do të performojnë disa nga këngët më të njohura shqiptare dhe të huaja duke i dhënë ngjyra fundjavave në kryeqendrën e veriut.
Koncerti i radhës do të jetë ai i datës 7 korrik, ku në sheshin e shatërvanit do të ngjitet në skenë një nga artistët e momentit, Sardi Strugaj dhe një ditë më vonë ai i baladave më të fuqishme shqiptare, Redon Makashi.