Sesion informues në Shkodër, transparenca dhe llogaridhënia çështjet e trajtuara në këtë takim
Në sallën e Këshillit Bashkiak të Shkodrës këtë të premte u organizua sesioni i informimit, me mbështetjen e projektit “Bashki të Forta”. Transparenca dhe llogaridhënia ishin 2 çështjet, të cilat u prezantuan nga kryetari i Këshillit Bashkiak, Oltion Luli, përpara të pranishmëve, anëtarë të këshillit bashkiak, qytetarë të Shkodrës, përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave të ndryshme etj.
Qytetarët kanë mundësinë të jenë pjesë aktive e vendimmarrjes duke shprehur në platformën e pjesëmarrjes qytetare mendimin e tyre për çështje të propozuara nga Bashkia ose nga vetë ata, duke rritur kështu efektivitetin e projekteve dhe reformave. Gjithashtu, nëpërmjet një forme aplikimi online çdokush mund të paraqesë projekt-idetë e tyre , të cilat shqyrtohen nga Bashkia Shkodër. Projekti “Bashki të Forta” mbështetet prej vitesh HELVETAS, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.