Sesioni i dytë i Procesit të Berlinit, 4 objektivat dhe marrëveshjet rajonale
Në këto momente pritet të nisë sesioni i dytë i Samitetit të Procesit të Berlinit, që po zhvillohet në Tiranë. Në sesionin e dytë pritet të diskutohet për mbështetjen e tranzicionit të gjelbër dhe digjital në Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa pas këtyre diskutimeve pritet të përurohet Kolegji i Evropës në Tiranë. Një pikë tjetër e rëndësishme e sesionit të dytë është edhe nënshkrimi i marrëveshjes rajonale për njohjen reciproke të kualifikimit profesional.
Në orët e vona të pasdites pritet të zhvillohet edhe një konferencës e përbashkët për shtyp mes kryeministrit Edi Rama, kancelarit gjerman Olaf Scholz, dhe presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen. Në fund të Samitit pritet të zhvillohet edhe ceremonia e inaugurimit të Piramidës.
Çfarë është procesi Berlinit?
Procesi i Berlinit po zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare të përfshira në Proces – Austri, Kroaci, Francë, Gjermani, Itali, Slloveni dhe Mbretëria e Bashkuar së bashku me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai është ndihmë shtesë e procesit institucional të integrimit në BE të shteteve, bazuar në miratimin e acquis-communautaire.
4 objektivat e Procesit të Berlinit
Objektiva të deklaruara që në fillim të këtij procesi mbeten të pandryshuara: zgjidhja e problemeve të brendshme, të hapura dypalëshe mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, pajtimi mes shoqërive në rajon, përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe së fundi krijimi i një baze për rritjen e qëndrueshme të rajonit.
Arritje të tjera të Procesit të Berlinit janë Korsitë e Gjelbërta, brenda rajonit dhe ndërmjet tij dhe vendeve anëtare të BE, që kanë lehtësuar rritjen ekonomike dhe integrimin rajonal.
Zbatimi i Marrëveshjes Rajonale të Roaming pritet të ulë kostot e komunikimit mes vendeve të BP dhe atë me vendet anëtare të BE duke forcuar lidhjet mes njerëzve.
Adresimi i problemeve të hapura dypalëshe dhe të brendshme brenda BP, arritja e pajtimit brenda dhe ndërmjet shoqërive të tij mbeten sfida për Procesin e Berlinit.