Sevilla zyrtarizon teknikun e ri, një emër i njohur merr drejtimin e spanjollëve

Quique Sanchez Flores
Quique Sanchez Flores është trajneri i ri i Sevilla. Ka qenë vetë klubi spanjoll që ka zyrtarizuar lajmin me anë të një postimi në faqen zyrtare. Quique Sanchez Flores merr vendin e lënë bosh nga Diego Alonso, që u shkarkua nga detyra e tij pas rezultateve të dobëta si në kampionat edhe në Europë.
Tekniku i ri ka firmosur një kontratë që e lidh me klubin spanjoll deri në vitin 2025. Quique Sánchez Flores është një trajner me eksperiencë që më herët ka drejtuar skuadra si: Getafe, Valencia, Benfica, Atletico Madrid apo Espanyol.
Trajneri do të nisë stërvitjen me skuadrën që mbrëmjen e sotme dhe do të debutojë në kampionat nesër në transfertën përballë Granadas. Një detyrë e vështirë e pret Quique Sanchez Flores, pasi Sevilla është future në një krizë rezultatesh.
Klubi spanjoll u eliminua nga Kupat e Europës, pasi zuri vendin e fundit në grupin e Championsit. Ndërsa në kampionat Sevilla ka 10 ndeshje që nuk fiton dhe për pasojë ka zbritur në vendin e 17-të në renditjen e LaLigas me vetëm 13 pikë të grumbulluara në 16 ndeshje të luajtura.