Sezoni turistik, Ndreu: Plazhi i Shëngjinit, më i mirëmenaxhuari në Shqipëri. Po investojmë në infrastrukturë
Shqipëria po përballet me një numër shumë të lartë turistësh këtë sezon veror, teksa mjaft i preferuar është edhe plazhi i Shëngjinit.
Në një intervistë për emisionin “Mirmëngjesi Shqipëri” në RTSH, kreu i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu tha se plazhi i Shëngjinit, për të tretin vit radhazi, është më i mirëmenaxhuari, veçanërisht sa i përket pastërtisë.
Ai u shpreh se suksesi qëndron te krijimi i një sistemi menaxhimi bashkë me kompanitë e pastrimit.
“Është i treti vit që ne jemi plazhi më i mirëmenaxhuar në Shqipëri, pikësëpari sa i përket pastërtisë. Në plazhin e Shëngjinit është një pastërti në nivele shumë të larta. Ka një rregull të vendosur me operatorët turistë, në disa plazhe i kemi hequr koshat e panevojshëm dhe subjektet i nxjerrin mbetjet në darkë, në orën 23:00 dhe i merr makina. Ka një sistem menaxhimi shumë të mirë bashkë me kompanitë e pastrimit”, u shpreh Ndreu.
Ndalur te investimet, kryebashkiaku tha se ka nevojë për më shumë investime në infrastrukturë, teksa theksoi se së shpejti do të ketë edhe një rrugë alternative për daljen nga Shëngjini, që pritet të lehtësojë ndjeshëm trafikun.
“Infrastruktura ka nevojë, po investojmë në një rrugë alternative për daljen nga Shëngjini, do jetë lehtësim shumë i madh për trafikun. Dalja nga Shëngjini është një problematikë e madhe, besoj se shumë shpejt do të jetë edhe bypassi i Shëngjinit, do hapet edhe Milot-Ballderni shumë shpejt”, theksoi Ndreu.
Sipas kryebashkiakut, Lezha ka marrë vëmendje jo vetëm nga investitorët vendas, por edhe të huaj.
“Lezha po merr vëmendje edhe nga investitorët e huaj. Ajo që unë e quaj qershia mbi tortë është kulinaria dhe në fundjavë, tani edhe me hapjen e Thumanë-Kashar, fluksi është shumë i madh. Lezha ka gjithçka duhet, pro duhet ta shikojmë më me seriozitet, por duke bashkëbiseduar edhe me operatorët turistikë“, tha Ndreu.