Sfida e medias publike, Drejtori i RTSH: Duhet ta shndërrojmë në prodhuesin kryesor të informacionit
U mbajt në Tiranë forumi i Medias së Evropës Juglindore, ku u diskutua për rreziqet dhe mundësitë e gazetarisë në të ardhmen. Kryeministri Edi Rama, i ftuar në forum shprehu kritika duke ju referuar rasteve të lajmeve të pavërteta apo gjysmë të vërtetave.
Rama përmendi edhe nismën për rregullimin e funksionimit te mediave online, nga i cili qeveria u tërhoq një vit më parë.
“Pse duhet të jetë një xhungël kjo bota online? Pse duhet të mendojmë që kjo xhungël mund të vet rregullohet dhe në xhungël të gjitha speciet një ditë do ta kuptojnë se duhet të sillen mirë. Akuzat ishin ti do t’i blesh, do t’i kontrollosh. Jo, jo. Shteti nuk duhet të paguajë asgjë dhe ju duhet të gjeni mënyrat për të mbijetuar siç mbijetojnë politikanët nën sulmin tuaj. Unë nuk besoj të vet rregullimi”, tha Rama.
Në një panel për median në Shqipëri, Drejtori I RTSH-së, Alfred Peza u ndal në sfidat me të cilat përballet transmetuesi publik, i cili sipas tij ka hyrë në rrugën e reformimit.
“Ne e shikojmë perspektivën e Radio Televizionit Shqiptar të ngritur në dy kolona themelore. E para është kolona e prodhimit të të gjithë llojeve dhe zhanreve të kontentit audioviziv dhe shpërndarja e tyre për të shkuar në një mënyrë sa më të shpejtë, sa më profesionale dhe në mënyrë sa më cilësore tek të gjithë qytetarët shqiptar kudo që ata jetojnë dhe punojnë sot jo vetëm në territorin e Republikës se Shqipërisë”, tha Drejtori i RTSH-së, Alfred Peza
Gazetarë dhe përfaqësues të medias renditën disa nga sfidat e medias në vend, si shpërndarja e materialeve të gatshme apo problematikat në zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit. Po ashtu u vlerësuan me çmime edhe disa gazetarë investigativë nga rajoni.