Shaip Kamberi thirrje bashkësisë ndërkombëtare: Vuçiq mund të hakmerret ndaj Luginës së Preshevës

shuajp kamberi
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe njëherësh deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi i ka bërë apel faktori ndërkombëtar se presidenti Aleksandër Vuçiq, mund të ndërmarrë aksione hakmarrëse në Luginën e Preshevës, pas aksionit që i dështoi në Banjskë të Zveçanit.
Sipas Kamberit, Vuciq deklaroi mbrëmë se në aksionin e Banjskës, në radhët e policisë profesionale të Kosovës ndodheshin edhe “kriminelë të trajnuar nga Presheva”.
“Pse Vuçiq në mesin e gjithë policëve që kanë marrë pjesë në neutralizimin e aksionit terrorist në Banjskë përmendë Preshevën?. Mos ndoshta kjo është paralajmërim për ndonjë aksion hakmarrës ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës?.Nuk do të ishte hera e parë që Serbia mllefin ndaj Kosovës ta shfryjnë në Luginë”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Ai fton bashkësinë ndërkombëtare që të veprojë në parandalimin e çfarëdo tentative, siç e quan ai, “të autokratit serb për hakmarrje ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.