Shantazhi nën emrin e Ervis Martinajt, Gazment Bardhi thirret në SPAK: Vendos në dispozicion telefonin
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka deklaruar se do të paraqitet në SPAK ku do të pyetet nga prokurorët mbi mesazhet shantazhuese që ka marrë së fundmi të shoqëruar nën emrin e të shumëkërkuarit të drejtësisë, Ervis Martinaj.
Bardhi tha para gazetarëve se në orën 15:00 të ditës së sotme do të paraqitet në zyrat e Prokurorisë së Posaçme për të dhënë shpjegime të mëtejshme mbi kallëzimin e bërë për shantazh ndaj tij të dy ditëve më parë.
Ai theksoi se është gati që t’u vendosë prokurorëve, telefonin e tij personal sipas procedurave ligjore që nevojiten mbi hetimin e rastit në fjalë.
“Të hënën bëra publike një akt intimidues ndaj meje me dokumente të sajuara dhe që nuk ekzistojnë. Prokuroria e Posaçme është vendosur në lëvizje që atë ditë. Kam treguar gatishmërinë për t’i vendosur në dispozicion telefonin tim sipas procedurave ligjore dhe sot do të paraqitem atje për këtë veprim hetimor të nevojshëm për të hetuar atë kallëzim që unë kam bërë”, u shpreh Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar demokrat foli edhe padinë e bërë po në SPAK ndaj kabinetit qeveritar dhe deputetëve socialistë mbi moszbatimin sipas tij të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“Moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese përbën vepër penale sipas Kodit Penal që e parashikon me 3 vite burg. Për këtë arsye i jemi drejtuar sot SPAK-ut për veprat konkrete që kanë kryer 73 deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste”, nënvizoi Bardhi.
Ai shpjegoi më tej se opozita po akuzohet pa të drejtë për veprimet e saj të dhunshme në seancën e fundit në Kuvend, ndërsa akuzoi mazhorancën për korrupsion.
“Të akuzosh deputetët e opozitës se kanë kryer krime ndërkohë këta nuk kanë lënë gjë pa vjedhur. Ne akuzohemi se paskemi thyer apo djegur karriget. Karrigia është mjeti jonë i punës e shumta që mund të sjellë është dëmshpërblimi nga paga e deputetëve”, theksoi Gazment Bardhi.