SHBA/ Aksident i rëndë, përplasen 158 makina, humbin jetën 7 persona
Një aksident i rëndë ku u përfshinë 158 automjete u ka marrë jetën 7 personave dhe u plagosën më shumë se 25 të tjerë.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë (23 tetor) përgjatë Interstate 55 në famullinë St. John the Baptist të Luizianës. Shkak për aksidentin e rëndë, sipas meteorologëve, është bërë mjegulla e dendur.
Disa nga automjetet u dogjën pas përplasjes. “Një nga automjetet e përfshira në rrënojat ishte një kamion cisternë që mbante “lëng të rrezikshëm” Pasi të hiqet cisterna, reaguesit e parë do të jenë në gjendje të vlerësojnë më mirë automjetet në atë zonë të afërt. Është e mundur që të zbulohen edhe viktima të tjera”, tha policia pa dhënë detaje mbi substancën.
Autoritetet i kanë kërkuar publikut që të kontaktojnë nëse kanë një anëtar të familjes të zhdukur që po udhëtonte në zonë.
Guvernatori i Luizianës, John Bel Eduards, tha se po lutej për të vrarët dhe të plagosurit në përplasjet.
“Unë gjithashtu dua të falënderoj reaguesit e parë dhe personelin mjekësor që kanë punuar me kaq zell për të shpëtuar jetë dhe për të ofruar ndihmë. Mënyra më e mirë që mund t’i ndihmoni, përveçse të tregoni kujdes në rrugë, është të dhuroni gjak në qendrën tuaj lokale të dhurimit të gjakut. Do të ndihmojë në rimbushjen e furnizimeve që po zbrazen sot për t’u kujdesur për të plagosurit. Kombinimi i tymit të zjarrit dhe mjegullës së dendur është i rrezikshëm dhe unë dua të inkurajoj të gjithë banorët e Luizianës në zonat e prekura që të kenë kujdes ekstrem gjatë udhëtimit”, tha Eduards në X, i njohur më parë si Tuitter.