SHBA akuzon liderët e Hamasit për sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit
SHBA ka akuzuar liderin e Hamasit, Yahya Sinwar dhe disa figura të tjera të shquara në grupin palestinez në lidhje me sulmin e tij vdekjeprurës në Izrael më 7 tetor të vitit të kaluar.
Departamenti i drejtësisë tha se po padiste gjashtë anëtarë të Hamasit me shtatë akuza, duke përfshirë vrasjen e qytetarëve amerikanë, komplot për financimin e terrorizmit dhe përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë.
Ky është hapi i parë i zbatimit të ligjit amerikan për të mbajtur përgjegjës drejtuesit e sulmit të 7 tetorit, megjithëse deri në tre nga të përmendurit në aktakuzë kanë humbur jetën, ndërsa Sinwar besohet se fshihet në tunele diku nën Gaza i veshur e maskuar si grua.
Garland tha se të pandehurit ishin përgjegjës për “financimin dhe drejtimin e një fushate dekadash për të vrarë qytetarët amerikanë dhe për të rrezikuar sigurinë e Shteteve të Bashkuara”.
Udhëheqës të tjerë të Hamasit të akuzuar përfshijnë ish-udhëheqësin Ismail Haniyeh; Marwan Issa, nënkryetari i krahut të armatosur të organizatës; Khaled Mashaal, i cili drejton grupin jashtë Gazës dhe Bregut Perëndimor; së bashku me Mohammed Deif dhe Ali Baraka.
Akuzat përfshijnë konspiracion për të bombarduar një vend të përdorimit publik që rezulton me vdekje, konspiracion për të financuar terrorizmin dhe mbështetje materiale për aktet e terrorizmit që rezultojnë me vdekje.
Prokurori i Përgjithshëm në fjalët e së martës (3 shtator) iu referua vrasjes javën e kaluar të pengut amerikano-izraelit Hersh Goldberg-Polin, 23 vjeç, përveç 42 shtetasve të tjerë amerikanë të vrarë në sulmin e 7 tetorit dhe 10 të marrë peng.
“Ne po hetojmë vrasjen e Hersh-it dhe çdo vrasje brutale të amerikanëve nga Hamasi, si një akt terrorizmi,” tha Garland.