SHBA goditet nga stuhia e fuqishme, 4 viktima. Mijëra persona pa energji elektrike mes temperaturave nën zero
Një stuhi e fuqishme ka goditur një pjesë të madhe të SHBA-së lindore, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa shtete. Janë më shumë se 600 mijë shtëpi dhe biznese që kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa temperaturat kanë zbritur disa gradë nën zero.
Guvernatori i Nju Jorkut, Kathy Hochul tha se ishte e shqetësuar që banorët nuk kishin energji elektrike, mes temperaturave shumë të ulëta.
Si pasojë e stuhisë vdekjeprurëse, të paktën katër viktima u raportuan në Alabama, Xhorxhia dhe Karolinën e Veriut.
Stuhia e fuqishme ka gjeneruar 25 raporte për tornado në Teksas, Alabama, Florida, Xhorxhia dhe Karolinën e Jugut që nga e hëna. Në Karolinën e Jugut, dëme të konsiderueshme janë shkaktuar nga një tornado në qytetin e Bamberg, ku ndërtesa shekullore e Bashkisë u shemb.
Më shumë se 1.350 fluturime u anuluan, në aeroportet e Atlantës, Dallas-Fort Worth, Florida dhe Karolinës së Veriut./ CNN