SHBA-ja dërgon flotën e avionëve F-16 në Lindjen e Mesme
Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) njoftoi se flota e avionëve F-16 e dërguar në Lindjen e Mesme ka mbërritur në zonën e misionit të Komandës së Forcave Qendrore të SHBA-së (CENTCOM).
Në një deklaratë nga Pentagoni thuhet se flota F-16 e cila ka mbërritur në zonën e misionit të CENTCOM do të punojë me njësitë e mbrojtjes që Departamenti ka dërguar më parë në rajon për “vetëmbrojtjen e forcave amerikane në rajon”.
Në deklaratë vihet në dukje konflikti Izrael-Palestinë që filloi më 7 tetor ndërsa thuhet se “Grupet e mbështetura nga Irani kanë sulmuar forcat e SHBA-së në Irak dhe në Siri”.
Zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder në një konferencë për media tha: “E dimë se këto grupe që kryejnë sulmet mbështeten nga Ushtria e Gardës Revolucionare dhe regjimi i Iranit”.
Ryder thekson se në Lindjen e Mesme kanë në gatishmëri njësi të ndryshme ushtarake dhe se asnjëra nuk është ende aktive.
“Që nga fillimi i konfliktit Izrael-Palestinë, qëllimi i SHBA-së është të mos zgjerohet konflikti rajonal”, tha Ryder i cili paralajmëroi vendet që duan të rrisin dhunën duke përdorur këtë situatë konflikti, që “të mos e provojnë këtë”.