SHBA–Karta e Adriatikut, starton konferenca e 27-të e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm
Starton konferenca e 27-të e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA–Karta e Adriatikut (A-5).
Kjo konferencë bashkëkryesohet nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH gjeneralmajor Arben Kingji komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, njëherazi Komandant i Forcave amerikane në Europë, gjeneral Kristofer Kavoli (Christopher G. Cavoli).
Fokusi i kësaj konference do të jenë zhvillimet dhe dinamikat në mjedisin e sigurisë në rajon dhe më gjerë, rritja e shpenzimeve të Mbrojtjes mbi pragun 2% e Produktit të Brendshëm Bruto si një mënyrë për të përmbushur objektivat e kapaciteteve të Aleancës dhe objektivat e planifikimit dhe rishikimit të NATO-s për vendet partnere.
Në punimet e ditës së sotme marrin pjesë vendet nënshkruese të A-5; SHBA, Shqipëri, Bosnje-Herzegovinë, Kroaci, Mal i Zi dhe Maqedonia e Veriut ndërsa në statusin e vëzhguesit janë të pranishëm edhe përfaqësues nga Kosova dhe Sllovenia, komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO në Napoli, Itali, si dhe adjutantët e përgjithshëm nga shtetet përkatëse të Programit të Partneritetit të Gardave Kombëtare të SHBA (New Jersey, Maryland, Minnesota, Vermont, Maine), shtetet e Programit të Partneritetit Shtetëror Vëzhgues (Ohio, Colorado, Iowa).