SHBA: Kemi garanci nga Maqedonia e Veriut se do të mbetet në rrugën evropiane
Shtetet e Bashkuara, përmes zëvendëssekretarit amerikan të shtetit për Ballkanin Perëndimor, thonë se kanë marrë garanci nga të gjitha nivelet e udhëheqjes së partisë VMRO-DPMNE se do të mbeten të përkushtuara në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Sipas ERT, zyrtari amerikan, Gabriel Escobar, duke folur në një think tank në Uashington, tha se “Evropa dhe Shtetet e Bashkuara ia bënë absolutisht të qartë Presidentit të vendit qëndrimin tonë pas inaugurimit. Me fjalë të tjera, ne presim që Maqedonia e Veriut të vazhdojë kursin e saj evropian dhe të vazhdojë të jetë anëtare e përkushtuar e NATO-s. Dhe më besoni, ajo është një anëtare e përkushtuar e NATO-s.
Dhe ne kemi marrë garanci nga të gjitha nivelet e udhëheqjes së partisë, partisë kryesore që fitoi zgjedhjet, se do të qëndrojnë të përkushtuar ndaj kursit europian. Në fakt, ka një realizëm në rritje se nuk ka alternativë tjetër. Kështu që unë mendoj se do të shohim dhe shpresoj se do të shohim që kjo rrugë do të vazhdojë dhe do të jetë synimi kryesor politik i qeverisë së re. Dhe ndërsa e bëjnë këtë, ata mund të presin bashkëpunim nga pala amerikane”.