SHBA kërkon formimin e Palestinës, kërkohet rezolutë detyruese për armëpushim në Këshillin e Sigurimit
Në një moment shqetësimi në rritje se lufta Izrael-Hamas mund të shndërrohet në një konflikt më të gjerë rajonal, presidenti amerikan ka theksuar se pasi të përfundojnë bombardimet dhe luftimet, puna drejt një shteti palestinez nuk duhet të injorohet më. Bajden e ka cilësuar prioritet marrëveshjen për të gjetur një zgjidhje që palestinezët të krijojnë shtetin e tyre.
“Kur të mbarojë kriza në Gaza , duhet të ketë një vizion se çfarë vjen më pas. Sipas mendimit tonë, duhet të jetë zgjidhja me dy shtete”, tha Bajden. “Nuk mund të kthehemi në status kuonë e përpara 6 tetorit”, deklaroi ai duke iu referuar ditës para se militantët e Hamasit të sulmonin Izraelin. Këtë mesazh, siç pohoi Shtëpia e Bardhë, Bajden ia ka përcjellë direkt kryeministrit Netanjahu gjatë bisedës telefonike që liderët zhvilluan javën e kaluar.
Ndërkohë Këshilli i Sigurimit do të mbajë një takim urgjent gjatë së hënës pikërisht për përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme. Mediat ndërkombëtare raportojnë se Emiratet e Bashkuara Arabe do të kërkojnë miratimin e një rezolute detyruese nga anëtarët e tjerë të Këshillit për armëpushim të menjëhershme humanitar në Gaza. Ky takim urgjent mbahet disa ditë pasi 120 vende mbështetën një rezolutë të Kombeve të Bashkuara të premten për të cilën Shtetet e Bashkuara votuan kundër. Ky vend ka kundërshtuar edhe thirrjet e mëparshme për një armëpushim në Gaza.