SHBA kritika për heqjen e dinarit, Kurti: Jemi aleatë, por s’do pajtohemi për çdo veprim
Heqja e dinarit serb nga 1 shkurti 2024 ka tensionuar marrëdhëniet e Kosovës me SHBA, por kryeministri Albin Kurti shprehet se nuk mund të ndërhyjë në vendimet e Bankës Qendror të Kosovës.
Ai tha se Kosova dhe SHBA janë aleatë dhe kanë marrëdhënie të mira, por kjo nuk do të thotë që duhet të pajtohen në çdo gjë.
“Unë nuk e kam thënë qëndrimin e asnjë shteti tjetër por si kryeministër i Republikës së Kosovës kam folur që raportet tona, bashkëpunimi jonë me SHBA-në është shumë i mirë tash ne jemi partner, aleatë, miq, kjo nuk do të thotë që pajtohemi absolutisht çdoherë në çdo vend për gjithçka,” ka thënë Kurti gjatë një aktiviteti në Kosovë.
Ai, lidhur me vendimin e BQK-së për dinarin serb, tha se Qeveria e Kosovës, në bazë të ligjeve dhe të Kushtetutës, ka për detyrë ta mbështesë vendimet dhe rregulloret e BQK-së, derisa shtoi se raportet Kosovë-SHBA janë shumë të mira.
Lidhur me marrëdhëniet me Serbinë, Kurti tha se do të shkojë në Bruksel nëse e thërrasin për nënshkrimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Sipas Kurtit përtej historisë duhet që dy vendet të kenë një marrëdhënie normal për qytetarët
“Jam treguar konstruktiv edhe atëherë kur na kanë thirrur në Bruksel dhe raundi i bisedimeve nuk mund të thuhet se ka qenë i suksesshëm. Unë këtë e bëj për BE-në, por edhe për shkak se duhet të kemi marrëdhënie normale me Serbinë,” tha Kurti.
SHBA e ka cilësuar vendimin e Kosovës për heqjen e dinarit si veprim të njëanshëm dhe të pakonsultuar me aleatët, ndërsa thotë se BQK duhet të shtyjë zbatimin e vendimit.