SHBA miraton buxhetin e 2025-s për Mbrojtjen, lë jashtë ndihmë për Ukrainën
Buxheti i mbrojtjes i SHBA-së për vitin 2025 është miratuar pa zgjatje të programit të huadhënies për Ukrainën.
Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së ka miratuar buxhetin e mbrojtjes për vitin 2025 pa një dispozitë për të zgjatur programin e ndihmës për Ukrainën.
Lajmin e ka bërë të ditur ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Oksana Markarova. Markarova vuri në dukje se drafti fillestar i projekt-ligjit përfshinte propozimin për të zgjatur programin e huadhënies në ndihmë të Ukrainës por nuk është përfshirë në projektligjin përfundimtar.
Sipas saj, ambasada e Ukrainës mbrojti në mënyrë aktive këtë dispozitë edhe pse nuk u përfshi në projektligjin përfundimtar.
Presidenti Joe Biden nënshkroi Aktin e Huadhënies për Mbrojtjen e Demokracisë së Ukrainës më 9 maj 2022, disa muaj pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës.
Më parë, mekanizmi i huadhënies u përdor gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur SHBA-ja siguroi pajisje ushtarake dhe furnizime të tjera për aleatët e saj qoftë me hua ose me marrëveshje kreditimi afatgjatë.
Ndërmjet viteve 1941 dhe 1945, SHBA-ja dha më shumë se 50 miliardë dollarë ndihmë nëpërmjet huadhënies, duke përfshirë afërsisht 11 miliardë dollarë për Bashkimin Sovjetik.