SHBA paralajmëron Izraelin: Mos sulmo në Rafah, rrezikon civilët
Departamenti i Shtetit ka paralajmëruar sërish Izraelin për një ofensivë kundër qytetit jugor të Rripit të Gazës, Rafah, duke thënë se një sulm në strehën kufitare të territorit do të shkaktonte “dëm masiv” mbi civilët dhe përfundimisht do të dobësonte sigurinë izraelite.
Për muaj të tërë, zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar Izraelin për të mos kryer operacione ushtarake në Rafah, i cili ndodhet përgjatë kufirit të Gazës me Egjiptin dhe është bërë “streha e fundit” për më shumë se 1 milion palestinezë që ikin nga ofensiva e Izraelit kundër territorit të shkatërruar.
Uashingtoni kërkon që Izraeli të kryejë një operacion më të kufizuar dhe të synuar për të çrrënjosur Hamasin dhe liderët dhe formacionet e tjera militante që besohet të jenë në Rafah, duke përfshirë pushtimin e tyre të një rrjeti tunelesh nën të.
Por kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dhe kabineti i tij i luftës e kanë bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se e shohin një sulm të plotë si zgjedhjen e tyre të vetme.
“Ne mendojmë se plani që Izraeli ka thënë se synon të ndjekë në lidhje me Rafah është një gabim”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller para gazetarëve në një konferencë të së mërkurës.
Sipas SHBA-ve operacioni “do të kishte një ndikim të madh – një ndikim të tmerrshëm mbi popullsinë civile atje dhe do të dobësonte sigurinë e Izraelit dhe ne mendojmë se ka një mënyrë më të mirë”
“Ajo që ne kemi thënë është lloji i misionit që ne mund të mbështesim është një fushatë shumë më e shënjestruar, e kufizuar që mund të arrijë ende të njëjtat objektiva, që mund të çojë ende në humbjen e atyre batalioneve të Hamasit brenda Rafahut, por pa dëme masive ndaj popullatës civile, pa penguar dhënien e ndihmës humanitare dhe pa dobësuar në fakt sigurinë e Izraelit në vend që ta forcojë atë”, u shpreh Miller.