SHBA paralajmëron masa ndaj Serbisë, Vuçiq bisedë telefonike me Sekretarin e Shtetit, Blinken
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë sot se ka pasur një bisedë telefonike të gjatë, jo të lehtë, me Sekretarin amerikan të Shtetit, Entoni Blinke (Anthony Blinken), për situatën në Kosovë.
Presidenti i Serbisë ka thënë se e ka pyetur Blinkenin se përse EULEX-it nuk i është lejuar të marrë pjesë në operacionin në veri të Kosovës dhe Metohisë. Vuçiq tha se Sekretari amerikan ka folur edhe për masa të mundshme ndaj Serbisë “nëse nuk sillemi siç duhet”.
“Ju jeni një vend i madh, një superfuqi, është vendimi juaj të bëni atë që mendoni se duhet. Por unë jam plotësisht kundër kësaj dhe mendoj se është shumë keq, por ka gjëra që duhet t’u përmbahemi, dhe kjo është para së gjithash e vërteta. Ka disa gjëra për të cilat ne u pajtuam dhe disa gjëra për të cilat nuk u pajtuam. Ne ramë dakord se nevojitet de-përshkallëzimi, se nevojitet një rol dukshëm më i madh i KFOR-it dhe Serbia gjithmonë dhe me siguri do ta mbështesë atë. I kam mohuar si të pavërteta informacionet për shkallën e lartë të gatishmërisë luftarake të forcave tona.”, u tha Vuçiq gazetarëve në ndërtesën e Geozavod.
Vuçiq tha se nuk është pajtuar me Blinken edhe për natyrën e asaj që ka ndodhur në Kosovë.
“Ne kemi prova që të paktën një, dhe ndoshta dy persona janë likuiduar me gjakftohtësi, kur nuk u likuiduan në betejë, por vetëm u plagosën. Ata ishin gjallë dhe u dorëzuan dhe më pas u likuiduan nga një distancë e afërt.”, tha Vuçiq.