SHBA pranon t’i shesë Kosovës raketa dhe kundërtanke, Vuçiq: Zhgënjim i madh
Shtetet e Bashkuara kanë pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa kundërtanke “Javelin” i tha ambasadori amerikan në Beograd, Kristofer Hill (o. Christofer), presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit të tyre në Beograd.
Departamenti amerikan i Shtetit do ta dërgojë kërkesën e Kosovës në Kongresin amerikan, me çka fillon procedura zyrtare, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Presidenca serbe.
Vuçiq tha se ky lajm është një zhgënjim i madh, por që Serbia, së bashku me SHBA-në do të punojnë në ruajtjen e raporteve serbo-amerikane.
“Për ne, është shumë e rëndësishme që paqja në rajon të mos prishet dhe që Serbia të vazhdojë të veprojë në mënyrë të përgjegjshme dhe të kontribuojë në stabilitetin në Ballkan,” tha presidenti serb.
Ai theksoi se është e nevojshme që Serbia të vazhdojë të forcojë jo vetëm infrastrukturën rrugore, por po ashtu energjinë, dhe njoftoi se së shpejti priten të nënshkruhen kontrata të rëndësishme mes Serbisë dhe SHBA-së për zhvillimin infrastrukturor.
Përmes një postimi në profilin e Vuçiqit në Instagram, u tha se në takim me Hillin u diskutua për situatën në Kosovë, për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për pozicionin ndërkombëtar të Serbisë.
Ky ishte takimi i parë mes Hillit dhe Vuçiqit pasi Serbia mbajti zgjedhjet parlamentare më 17 dhjetor, pas së cilave ambasadori amerikan, përmes një video të publikuar në rrjetet sociale, kërkoi që të hetohen parregullsitë e evidentuara nga vëzhguesit ndërkombëtarë gjatë procesit zgjedhor.
Në këto zgjedhje, Partia Progresive Serbe (SNS) e Vuçiqit fitoi shumicën për formimin e Qeverisë së re. /REL