Shefi i KFOR-it: Situata në veri të Kosovës e qetë, por e brishtë
Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë Ozkan Ulutash e vlerëson të qetë, por ende të brishtë situatën e sigurisë pas tensioneve të vitit të kaluar në veri të Kosovës.
“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide që mund të ndodhë, duke përshtatur praninë tonë sipas nevojës dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, të cilët janë reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë”, tha Ulutash.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ulutash tha se sulmet e vitit të kaluar në veri të Kosovës ishin të papranueshme. Ai bëri thirrje që autorët të vihen para përgjegjësisë.
“Ne u kemi kërkuar autoriteteve përkatëse në Prishtinë dhe Beograd që të kryejnë hetimet e nevojshme ligjore për të vërtetuar faktet dhe për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë”, u shpreh ai.
Kreu i KFOR-it komentoi edhe deklaratat mbi rrezikun nga përshkallëzimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne jemi duke vëzhguar nga afër çdo zhvillim të sigurisë në rajon. KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Qëndrueshmëria në rajon varet nga të gjitha palët që duhet të zgjedhin diplomacinë mbi dhunën”, tha Ulutash.
Duke përsëritur angazhimin e NATO-s Ulutash tha se Aleanca Veriatlantike mbështet fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.