Shefi ushtarak i Izraelit: Do i përgjigjemi sulmit raketor të Iranit
Shefi ushtarak i Izraelit tha se vendi i tij do t’i përgjigjet sulmit të fundjavës së Iranit, por ai nuk dha hollësi se kur dhe si ndërsa liderët botërorë bënë thirrje kundër hakmarrjes.
Sulmi iranian të shtunën erdhi si përgjigje ndaj një sulmi të dyshuar izraelit dy javë më parë në një ndërtesë konsullore iraniane në kryeqytetin sirian të Damaskut që vrau dy gjeneralë iranianë.
Kjo shënoi herën e parë që Irani ka nisur një sulm të drejtpërdrejtë ushtarak ndaj Izraelit, pavarësisht dekadave të armiqësisë që daton që nga Revolucioni Islamik i vendit të vitit 1979.
Irani lëshoi qindra dronë, raketa balistike dhe raketa lundrimi në Izrael.
Ushtria izraelite tha se 99% e dronëve dhe raketave u kapën, nga mbrojtja ajrore dhe avionët luftarakë të Izraelit dhe në koordinim me një koalicion partnerësh të udhëhequr nga SHBA.
Shefi ushtarak izraelit, gjenerallejtënant Herzi Halevi tha të hënën (15 prill) se Izraeli po shqyrton hapat e tij të ardhshëm, por se sulmi iranian “do të përballet me një përgjigje”.
Halevi nuk dha detaje. Zëdhënësi i ushtrisë, adm. Daniel Hagari, tha se Izraeli do të përgjigjet në kohën që ata vetë do të zgjedhin.