Shefja e FMN: Qeveritë europiane do “pendohen” nëse i mbështesin fermerët që protestojnë
Prej javësh, fermerët nga Gjermania, Franca, Italia, Belgjika, Polonia, Rumania dhe Greqia po zhvillojnë protesta bllokuese, por paqësore, të cilat synojnë sigurimin e lehtësirave financiare nga liderët europianë, teksa ata përgatiten për zgjedhjet në BE.
“Kur sheh fermerët që protestojnë, në nivel njerëzore kupton vështirësitë me të cilat ata përballen dhe nuk është e lehtë ajo që bëjnë. Por nëse kjo frymë vazhdon dhe i vendos qeveritë në një cep ku ato nuk do e dinë çfarë të bëjnë për të fuqinë e ekonomisë, atëherë mund të vijnë ditë për të cilat ata do të pendohen,” deklaroi drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, nga selia në Uashington.
Mijëra fermerë nga e gjithë Europa protestuan të enjten në Bruksel gjatë kohës kur presidenti francez, Emanuel Makron (o. Emmanuel Macron) dhe kryekomisionerja europiane, Ursula fon der Lajen (o. Leyen) bisedonin për të “ardhmen e bujqësisë europiane”.
Pas samitit, Makroni u tha reporterëve se Franca arriti të bindë BE-në që të vendosë rregulla më strikte për importet e drithrave dhe mishit të pulës, edhe nga Ukraina.
Sindikatat kryesore të fermerëve francezë kanë apeluar që t’i jepet fundi bllokadave disajavore në vend për çështje pagesash, taksash dhe rregulloresh, pasi qeveria premtoi se do të ndërhyjë për t’i mbrojtur financiarisht.
Sipas Ministrisë franceze të Financave, masat mbështetëse parashikohet t’i kushtojnë buxhetit rreth 400 milionë euro, ndërsa Ministria e Bujqësisë “zemëroi” ambientalistët me lajmin se rregullorja për reduktimin e pesticideve nuk do të aplikohet ashtu siç mendohej. /AFP