Shefja e UNMIK-ut flet nga Beogradi: Të jepet llogari për sulmin serb ndaj Kosovës
Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziyadeh ka deklaruar se situata në veri të Kosovës duhet de-përshkallëzuar, tensionet duhet të ulen dhe Prishtina me Beogradin t’i rikthehen dialogut.
Teksa ka vizituar Beogradin Ziyadeh ka bërë thirrje për transparencë në hetime dhe llogaridhënie në lidhje me ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe u eliminuan 3 agresorë serb.
Ziadeh është duke u takuar me liderët politikë serbë dhe përfaqësues të ndryshëm të komunitetit diplomatik gjatë dy ditëve, para takimit të ardhshëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.
“PSSP Ziadeh do t’i raportojë Këshillit të Sigurimit më vonë këtë muaj”, thuhet në njoftimin e UNMIK-ut.
Mëngjesin e së dielës së 24 shtatorit persona të maskuar dhe të armatosur hapën zjarr dhe hodhën granata dore në hyrje të fshatit Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Policia e Kosovës bëri me dije se eliminoi 3 agresorë dhe arrestoi 6 të tjerë për posedim të armëve, të municionit dhe të radiolidhjeve. Ndërsa u sekuestrua armatim i rëndë që ishte sjellë nga grupi i armatosur terrorist serb.