Shembull diversiteti social e fetar, myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, pret delegacionin e Kishës së Italisë
Një delegacion nga Kisha e Italisë, i kryesuar nga imzot Xhuzepe Mengoli, Ipeshkëv i Dioqezës së San Severos, është pritur nga myftiu i Shkodrës, imam Muhamed Sytari. Gjatë takimit u bashkëbisedua rreth vlerave të besimit e harmonisë në mesin e besimtarëve, sfidave të kohës dhe domosdoshmërisë së ruajtjes së ekuilibrave të harmonisë, që njeriu të jetojë me dinjitet, si krijesë fisnike.
Nga ana e tij, imzot Mengoli është ndalur tek përshtypjet që ka përjetuar gjatë kësaj vizite, duke evidentuar praninë e shumë flamujve kombëtarë.
“Përshtypja e parë është se ky vend fillon të besojë tek vetvetja dhe po merr shumë nga historia e tij. Një histori plagësh, vuajtjesh, persekutimi. Dhe siç dihet, historia mëson shumë dhe këtë vend e shoh shumë të vëmendshëm. Një mik thonte se nacionalizmi është vertetë i pranishëm, një detaj i vogël që në Itali nuk është, prania e shumë flamujve. Ne vendosim flamuj vetëm kur Italia fiton ndonjë ndeshje. Këtu shohim se ka një unitet kombëtar, që funksionon në diversitet. Sekreti sipas meje, ky diversitet social, fetar është pasuri. E gjithë kjo është një provë se paqja mund të fitojë”, – u shpreh peshkëvi i Dioqezës së San Severos Itali, Giuseppe Mengoli .
Bashkëbisedimi vijoi me pyetje-përgjigje, ku u dëshmua fryma e lartë e komunikimit të qytetëruar në mesin drejtuesve fetarë, muslimanë e të krishterë. Me një mesazh për mediat e pranishme, ky takim u mbyll me urime dhe lutje të përbashkëta, me shpresën e ritakimit.