Shëngjin, 2-vjeçari afgan mbytet në shatërvanin e kompleksit ku ishte akomoduar

Një mitur 2-vjeçar nga Afganistani është mbytur në një shatërvan në Shëngjin ku ishte akomoduar në kuadër të vendosjes në Shqipëri të afganëve të larguar pas marrjes së pushtetit nga talebanët.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në kompleksin ku i mituri ishte akomoduar bashkë me familjen.
“Mbrëmjen e djeshme, aksidentalisht, duke luajtur, është mbytur në ujin e shatërvanit të kompleksit ku ishte akomoduar përkohësisht, një i mitur afgan, 2 vjeç”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq grupi i posaçëm hetimor i ngritur për këtë rast, po punon për të dokumentuar me prova ligjore rrethanat.
Që prej vitit 2021 në zonën e Shëngjinit janë akomoduar disa shtetas afganë, të cilët u larguan nga vendi i tyre pas marrjes së pushtetit nga talebanët. Një pjesë e afganëve janë pajisur me vizë amerikane apo kanadeze duke u larguar nga Shqipëria ndërsa të tjerët janë në pritje për t’u larguar.