Shënon Krishtlindjet më 25 dhjetor për herë të parë/ Ukraina sulmohet nga Rusia, vriten 5 persona
Ukraina feston mes granatimesh, Krishtlindjen. Pesë persona janë vrarë nga granatimet ruse në rajonin e Khersonit të Ukrainës jugore mëngjesin e kësaj të hëne (25 dhjetor).
“Nuk ka pushime për armikun. Ato nuk ekzistojnë për ne për sa kohë që armiku vret njerëzit tanë dhe mbetet në tokën tonë“, shkroi në rrjetet sociale Andriy Yermak, kreu i zyrës së presidentit ukrainas, duke komentuar sulmin në Kherson.
Sulmi ndodhi ndërsa Ukraina përgatitej të festonte zyrtarisht Krishtlindjet për herë të parë më 25 dhjetor, në një zhvendosje simbolike larg kishës ortodokse ruse, e cila feston lindjen e Krishtit më 7 janar.
Disa ukrainas ortodoksë kremtuan Krishtlindjet më 25 dhjetor të vitit të kaluar në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Katedralja në Manastirin e Shpellave, një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s në Kiev, mbajti festën e Krishtlindjes më 7 janar të këtij viti, por shërbimi u mbajt në gjuhën ukrainase për herë të parë në 31 vitet e pavarësisë së Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik.
Presidenti Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelenskiy) nënshkroi legjislacionin në korrik duke e çuar festën publike të Ditës së Krishtlindjes në 25 dhjetor, megjithëse një nga dy organizatat konkurruese të kishës ortodokse të Ukrainës po i përmbahet datës së janarit të diktuar nga kalendari Julian. Për të shënuar natën e Krishtlindjes më 24 dhjetor, Zelensky iu drejtua kombit në një video të filmuar përpara Katedrales së Shën Sofisë në qendër të Kievit.
Ai siguroi ukrainasit që luftojnë kundër pushtimit rus të vendit se “hap pas hapi, dita pas dite, errësira po humbet”.
“Sot ky është qëllimi ynë i përbashkët, ëndrra jonë e përbashkët. Dhe pikërisht për këtë është lutja jonë e përbashkët sot. Për lirinë tonë. Për fitoren tonë. Për Ukrainën tonë”, tha Zelenski.