Shërbimet në qendra komunitare/ Sytari: Një pjesë e familjeve rezistente
Disa prej familjeve të komunitetit rom dhe egjyptian në Shkodër këtë vit kanë shprehur bashkëpunim dhe vullnet të mirë për shkollimin e fëmijëve të tyre! E kundërta ndodh me familjet që jetojnë tek barakat afër prokurorisë. Specialistja e shërbimit social Roza Sytari thotë se bashkia e po ashtu edhe fondacioni me të cilin bashkëpunojnë kanë hasur rezistencë të përditshme në marrjen e fëmijëve për ti dërguar në shkollë. Në këto kushte tek këto familje është ndërprerë përkohësisht shërbimi i transportit. Pavarësisht kësaj dhjetëra familje çdo ditë marrin shërbim edhe pranë qendrës multifunksionale numër 4, ku përveç transportit fëmijët në qendër konsumojnë drekën, ndërsa për prindërit ofrohen aktivitete të ndryshme. Aktualisht pjesë e qendrës komunitare janë bërë familjet që jetojnë afër urës së Bahçallëkut, dhe ato që kanë përfituar strehim tek kontinierët. Një pjesë tjetër e këtyre komuniteteve mbeten në levizje duke mos patur as vendqëndrim resident në Shkodër. Këta të fundit shfaqin vazhdimisht rezistencë në bashkëpunimin me institucionet vendore!