Sherri për legjitimitetin e drejtimit të PD-së, Gjykata e Tiranës shtyn shqyrtimin e çështjes për datën 3 nëntor
Legjitimiteti për drejtimin e PD-së ka që të mërkurën në Gjykatën e Tiranës të zhvillohet seanca gjyqësore, lidhur me njohjen e ndryshimeve të statutit të Lulzim Bashës më 2 shtator.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së së Bashës, Indrit Sefa, kërkoi në seancën gjyqësore njohjen e dokumentacionit të paraqitur nga pala e legjitimuar e PD-së.
Ndërsa Marash Logu, përfaqësues ligjor i grupimit të Gazment Bardhit, deklaroi gjatë seancës se Këshilli Kombëtar i mbledhur online, sipas tij, ka kërkuar të mos legjitimohet në krye të PD, Lulzim Basha.
Sipas tij, ligjshmëria dhe kushtetushmëria e këtij gjykimi në Gjykatën e Tiranës, cënon një tjetër gjykim dhe një tjetër padi në gjykatë të bërë nga Këshilli Kombëtar i PD në korrik të vitit 2023, dy muaj përpara se pala kërkuese të kërkonte regjistrimin e ndryshimeve statutore.
“Këshilli Kombëtar ka kërkuar të mos legjitimohet në krye të PD, Lulzim Basha. Në këto kushte, duke qenë përballë një kërkese për të cilën është ngritur padi, do të jemi përballë dy gjykimeve që përplasin njëra- tjetrën”, tha Logu.
Nga ana tjetër në Gjykatën e Lartë ndodhet për shqyrtim edhe rekursi i grupimit të Sali Berishës për vendimin e 3 marsit të Gjykatës së Apelit. Seanca e planifikuar për ditën e sotme në Gjykatën e Tiranës është shtyrë për datën 3 nëntor në orën 09:00.